Të studiosh kinematografinë e animuar dhe videolojërat në Francë
Industria e videolojërave dhe kinematografia e animuar ofrojnë shumë mundësi profesionale në Francë. Avantazhi i Francës qëndron në cilësinë e programeve të studimit që çojnë në marrjen e diplomave dhe zgjasin nga 3 deri në 6 vjet, në ekspertizën dhe shumëanshmërinë e teknikëve francezë, të cilët ndërthurin vizatimin me teknologjinë.
Franca disponon gjithashtu një rrjet të madh studiosh dhe kompanish në fushën e videolojërave, animacionit dhe realitetit virtual. Studio si Ubisoft, Asobo Studio, Arkane Studios, Mac Guff ose TAT Productions kanë kontribuar në promovimin ndërkombëtar të krijimtarisë franceze.
Kinematografia franceze e animuar zë gjithashtu një vend të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Franca është prodhuesi i parë evropian dhe i katërti në botë, dhe numëron shumë studio të njohura, që kanë realizuar suksese ndërkombëtare si Minionët, Unë, i neveritshmi (Moi, moche et méchant) ose Këndo! (Tous en scène). Vitet e fundit, kinematografia franceze e animuar ka marrë shumë çmime ndërkombëtare, përfshirë 9 Oscar dhe 4 çmime në Tokyo Anime Award Festival.
Shkollat franceze të animacionit të njohura ndërkombëtarisht
Në vitin 2026, Franca ka forcuar pozicionin e saj në renditjen vjetore të publikuar nga Animation Career Review. Vendi dallohet me 8 institucione franceze të renditura në Top 50. Rezultati më i spikatur është ai i Gobelins Paris, e cila renditet në vendin e parë në këtë klasifikim, mes 199 shkollave nga e gjithë bota.
Animation Career Review përdor disa kritere për të hartuar renditjet e saj, duke përfshirë përsosmërinë akademike, profilin dhe numrin e profesorëve, përzgjedhshmërinë e institucionit, tarifat e regjistrimit dhe të studimit, si dhe suksesin e studentëve në tregun e punës pas diplomimit.
Pesë shkolla franceze në Top 20
Franca dëshmon përsosmërinë e saj në fushën e arsimit, me pesë institucione të renditura në Top 20 të klasifikimit botëror:
- GOBELINS Paris – Kjo shkollë publike e artit, e themeluar në vitin 1963 dhe me kampuse në Paris dhe Annecy, renditet e para. Ajo ofron programe në regjinë e filmave të animuar, fotografi, video, motion design, dizajn grafik, dizajn grafik interaktiv dhe videolojëra;
- ESMA – E renditur në vendin e 8-të, ESMA është një shkollë e arteve të aplikuara me më shumë se 20 vjet përvojë dhe me kampuse në Montpellier, Toulouse, Nantes dhe Lyon. Ajo ofron programe në realizimin e filmave të animuar 3D, dizajn grafik dhe strategji digjitale;
- RUBIKA – Kjo shkollë e krijimtarisë digjitale, e specializuar në videolojëra, filma të animuar dhe dizajn industrial, renditet e 9-ta. Ajo ka kampuse në Valenciennes dhe Montbéliard (Francë), si dhe në Kanada, Indi dhe Kenia;
- ARTFX School – E renditur në vendin e 11-të, ARTFX ka kampuse në Montpellier, Lille dhe Paris dhe është një institucion i pavarur ndërkombëtar i arsimit të lartë. Ajo është e specializuar në animacionin 2D dhe 3D, efektet speciale dhe videolojërat;
- Shkolla e animacionit MoPA – E renditur në vendin e 19-të, kjo shkollë njihet ndërkombëtarisht për përsosmërinë e saj në realizimin e filmave të animuar 3D. Ajo ndodhet në Arles, në rajonin Occitanie.
Franca në Top 3 botëror
Përveç pesë shkollave të renditura në Top 20, tre institucione të tjera franceze dallohen në Top 50:
- École Émile Cohl (vendi i 38-të) – E vendosur në Lyon, kjo shkollë private e artit është e specializuar në vizatim, ilustrim, animacion, videolojëra dhe fusha të tjera;
- ISART Digital (vendi i 39-të) – E themeluar në Paris në vitin 2001, kjo shkollë private e arsimit të lartë ofron programe në videolojëra, animacion 3D, dizajn zanor dhe muzikor, me prani në Francë dhe Kanada;
- École Georges Méliès (vendi i 49-të) – E themeluar në vitin 1999 në rajonin e Parisit, kjo shkollë ofron programe të përqendruara në filma të animuar, efekte speciale digjitale dhe videolojëra.
Në nivel botëror, Franca renditet e treta, pothuajse në të njëjtin nivel me Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, dhe përpara Kanadasë, Kinës, Japonisë dhe Indisë. Ky pozicion përforcon reputacionin e Francës si një qendër e ekselencës në animacion dhe kinematografinë e animuar në nivel ndërkombëtar.
Dëshironi të studioni animacion në Francë? Aplikimet për disa prej institucioneve të përfshira në këtë renditje, si dhe për institucione të tjera franceze, mund të bëhen përmes platformës CampusArt.
Çfarë është CampusArt?
CampusArt bashkon 122 institucione të arsimit të lartë, publike dhe private, në fushat e dizajnit, arteve të bukura, modës, kinematografisë, muzikës, arkitekturës, multimedias, dizajnit të brendshëm dhe trashëgimisë.
Kjo platformë, e koordinuar nga Campus France, synon të lehtësojë aplikimin tuaj për programe studimi në fushat artistike. Duke aplikuar përmes CampusArt, ju duhet të përgatisni vetëm një dosje aplikimi për disa programe, duke dorëzuar portofolin tuaj drejtpërdrejt online.
Franca, partnere e industrive kreative dhe animacionit në Kosovë
Në Kosovë, Franca është veçanërisht e angazhuar në zhvillimin e industrive kreative, veçanërisht përmes projektit Genesis. Midis viteve 2024 dhe 2026, ky projekt, i financuar nga Franca, ka mundësuar trajnimin e deri në 65 profesionistëve të rinj kosovarë në fushat e multimedias (animacion, videolojëra, audiovizual etj.), si dhe mbështetjen e disa prej tyre në krijimin e bizneseve të tyre dhe zhvillimin e kontakteve me profesionistë francezë.
Zbuloni gjithashtu intervistën me Lekë Sahatqijan, profesor i zhvillimit të lojërave video në AAB College dhe inxhinier informatike në Bambus Group, i cili ka studiuar informatikë dhe telekomunikacion për 5 vjet në INSA Lyon. Pas studimeve në Francë, Lekë Sahatqija u specializua gradualisht në zhvillimin e lojërave video, duke iu bashkuar kompanive kosovare.
Sipas tij, « ajo që e bën inxhinierinë të veçantë në Francë është mënyra se si ajo mësohet. Nuk mësojmë vetëm mjetet, por edhe mënyrën se si funksionojnë dhe pse funksionojnë në këtë mënyrë. Meqenëse bota po evoluon shumë shpejt sot, kjo qasje mundëson përshtatjen shumë më të lehtë me mjetet e reja. »






