Studentët nga Kosova mund të përfitojnë nga programe të ndryshme bursash për të studiuar në një institucion të arsimit të lartë në Francë.
Thirrje për aplikime – Bursa Young Cell Scheme 2026
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës njoftojnë hapjen e ciklit të gjashtëmbëdhjetë të aplikimeve për programin Young Cell Scheme.
I zbatuar nga Universiteti Aristotel i Selanikut (Greqi) dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik (Francë), ky program do të ofrojë 37 bursa të plota për qytetarët kosovarë nën moshën 35 vjeç, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet master në një universitet të BE-së. Fushat e përfshira janë: ekonomia, drejtësia, teknologjia digjitale, inxhinieria, integrimi evropian dhe hartimi i politikave.
Aplikimet janë të hapura nga e hëna, 9 shkurt 2026, deri të premten, 13 mars 2026, në orën 17:00. Të gjitha detajet rreth kësaj mundësie dhe mënyrës së aplikimit i gjeni në faqen zyrtare të Young Cell Scheme.
Bursat e Ekselencës
Qeveria franceze ofron bursa për studentët më të mirë të huaj që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Francë në nivelin Master dhe Doktoraturë.
Bursat e alokuara nga Qeveria Franceze në nivelin Master përbëhen nga një ndihmë mujore që synon të mbulojë shpenzimet e strehimit dhe të përditshme gjatë të gjithë vitit universitar.
Bursat e alokuara nga Qeveria Franceze në nivelin Doktoraturë përbëhen nga një ndihmë mujore fikse, e cila jepet për 6 muaj në vit, për një periudhë maksimale prej 3 vjetësh.
Këtyre ndihmave mujore u shtohen edhe disa përfitime të tjera për bursistët e niveleve Master dhe Doktoraturë:
• Mbulimi i shpenzimeve të Sigurimit shëndetësor.
• Mbulimi i transportit vajtje-ardhje për në Francë.
• Mundësia e qasjes në strehim në rezidencat universitare, në varësi të vendeve të lira.
• Pritja dhe shoqërimi gjatë qëndrimit studimeve nga Campus France.
Për të përfituar nga kjo bursë, është e domosdoshme të jesh shtetas i Kosovës dhe të dorëzosh një kopje të dokumentit të identitetit, një vërtetim të pararegistrimit në një institucion të arsimit të lartë francez, si dhe një letër motivimi, një CV dhe një kopje të diplomës së fundit të marrë me një transkript notash.
Aplikimet që dëshmojnë një nivel të gjuhës frënge B1/B2 ose që tregojnë interes për mësimin e frëngjishtes kanë përparësi.
Bursat Eiffel
Bursat Eiffel janë ideuar nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme për të mundësuar institucioneve franceze të arsimit të lartë të tërheqin studentët më të mirë të huaj në programe diploma në nivelin Master dhe Doktoraturë.
Ky lloj i bursës mundëson pergaditjen e vendimmarrësve të ardhshëm të huaj, të sektorëve privat dhe publik, në fushat e studimit prioritare, dhe stimulon aplikimet e studentëve të huaj deri në moshën 25 vjeç për nivelin Master dhe deri në 30 vjeç për nivelin Doktoraturë.
Për më shumë informata mbi Bursat Eiffel, vizitoni faqen: Campus France.
Programi Young Cell Scheme
Young Cell Scheme është një program bursash i nisur në vitin 2004 nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Ai u ofron mundësi kosovarëve nën moshën 35 vjeç të ndjekin studimet master në një universitet të BE-së. I zbatuar nga Universiteti Aristotel i Selanikut (Greqi) dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik (Francë), programi u drejtohet studentëve nga fusha strategjike për zhvillimin e Kosovës. Disiplinat e pranueshme përcaktohen në çdo cikël në përputhje me prioritetet institucionale.
Në këmbim, përfituesit angazhohen të ndjekin një praktikë paraprake në një institucion të administratës kosovare (me përjashtime të caktuara), të përfundojnë studimet dhe të punojnë për tre vite radhazi në shërbimin civil pas kthimit të tyre. Qëllimi është tërheqja e profesionistëve të kualifikuar në shërbim të shtetit dhe të kontribuohet në mënyrë të qëndrueshme në modernizimin e administratës kosovare, në përputhje me standardet evropiane.
Përzgjedhja zhvillohet në tri faza: një parazgjedhje administrative, teste me shkrim (anglisht, njohuri mbi BE-në dhe arsyetim verbal e numerik), dhe më pas një intervistë para një jurie akademike. Bursat mbulojnë tarifat e studimit, shtesat për jetesë, sigurimin shëndetësor, shpenzimet e udhëtimit si dhe mbështetje gjuhësore nëse është e nevojshme. Si shembull, thirrja e shkurtit 2026 parashikonte dhënien e 37 bursave.
Për më shumë informacione, vizitoni faqen e Programit Young Well Scheme.
